PËRZGJEDHJA PREMIUM

Chardonnay

Chardonnay

Elegancë e maturuar, finesë mesdhetare

Chardonnay Premium e Kantinës së familjes Tufa është një interpretim i rafinuar i një varieteti botëror, me shije të sofistikuar dhe shprehje të zonës lokale. E prodhuar nga rrush i përzgjedhur me kujdes në vreshtat e Lundrës dhe e stazhonuar në fuçi druri lisi franceze, kjo verë bashkon natyrën e pastër të rrushit me kompleksitetin që i jep koha dhe druri. Një gotë Chardonnay e barrikuar flet për durimin, tokën dhe mjeshtërinë e punimit, duke ofruar një përvojë që evoluon ndërsa pihet dhe që qëndron gjatë në mendje.

Detaje të tjera

Rrushi vjen nga një parcelë me rendiment rreth 60 ton/ha, në kodrat juglindore të vreshtave të familjes Tufa, në lartësi 290–310 m mbi nivelin e detit. Ekspozimi optimal ndaj diellit dhe freskia e netëve ndihmojnë zhvillimin e aromave të pasura dhe ruajtjen e aciditetit, që i jep verës jetëgjatësi dhe strukturë.
Toka është argjilo-kalkare, me shtresë të mesme, e pasur me gurë të vegjël dhe elementë mineralë, duke ofruar balancë midis strukturës dhe drenazhimit dhe duke nxjerrë karakterin mineralo-frutor të rrushit.

Vjelja kryhet herët në mëngjes, me përzgjedhje të kujdesshme të rrushit. Ky proces siguron që lënda e parë të ruajë pastërtinë dhe kompleksitetin aromatik që do të zhvillohet më vonë në dru.

Rrushi shtypet butë dhe mushti fermentohet drejtpërdrejt në fuçi druri franceze (500 L), në temperaturë të kontrolluar 17–18°C. Pas fermentimit alkoolik, fermentimi malolaktik kryhet në barrik, duke i dhënë verës strukturë dhe shije të butë. Vera qëndron 9 muaj mbi llum të imët (sur lie) me batonnage të rregullt, që i jep trup, thellësi dhe ndjesi kremoze.

Maturimi zhvillohet në fuçi franceze prej lisi për 12 muaj, duke balancuar kontaktin me drurin dhe ruajtur delikatesën e varietetit. Gjatë kësaj kohe, vera fiton kompleksitet aromatik, strukturë të thellë dhe teksturë të rrumbullakosur. Pas shishëzimit, qëndron minimalisht edhe 6 muaj në shishe për të arritur harmoni dhe stabilitet të plotë para daljes në treg.

  • Ngjyra: E artë me reflektime të ngrohta, që tregojnë pjekurinë dhe maturimin në dru.
  • Aromat: Aroma është e pasur dhe e evoluar, me nota frutash të pjekura si mango, pjeshkë, mollë të verdha dhe ananas, të shoqëruara nga gjalpë i butë, vanilje dhe bajame të pjekura. Një prekje e lehtë minerale i jep thellësi dhe finesë.
  • Shija: Në qiellzë është e plotë, kremoze dhe e strukturuar, me aciditet të balancuar që i jep jetë dhe freski. Tekstura është e lëmuar, me shtresëzim të shijes dhe ndjesi mëndafshi në fund të gojës.
  • Pas-shija: E gjatë, e rrumbullakosur dhe elegante, me rikujtim të frutave të pjekura, drurit të butë dhe ton mineral të thatë.

Ky Chardonnay është një verë gastronomike me potencial të lartë, që kërkon pjata me përbërës cilësorë dhe strukturë për të nxjerrë në pah të gjitha notat e saj. Rekomandohet të shërbehet në 10–12°C dhe të ajroset për 15–20 minuta para konsumit.

Përshtatet në mënyrë ideale me: 

  • Peshk të yndyrshëm (salmon, levrek i pjekur në lëkurë, troftë në gjalpë)
  • Ravioli me gjalpë dhe/ose me kërpudha të egra
  • Mish i bardhë si pula me krem ose me tartuf
  • Djathëra të stazhionuar si Comté, Gruyère, ose djathëra artizanë shqiptarë të tharë
  • Tarta të kripura me perime, patate ose kungull i verdhë

Viti: 2019
Alkooli: 13.5%
Aciditeti total: 5.5 g/L
Sheqerna reduktues: < 1 g/L
SO₂ total: 135 mg/L