Sommelier’s selection

Shesh i Bardhë

Shesh i Bardhë

Një varietet autokton, një histori shqiptare në gotë

Shesh i Bardhë është një verë elegante nga kodrat e Tiranës, një ndër varietetet më të vjetra dhe më përfaqësuese të traditës shqiptare të kultivimit të rrushit. Me origjinë nga zona e Tiranës, ky rrush bart në çdo kokërr një trashëgimi të lashtë, që ne në Kantinën Tufa e kultivojmë dhe e trajtojmë me përkushtim dhe respekt.

Kjo verë është një interpretim bashkëkohor i këtij variteti unik, prodhuar ekskluzivisht nga rrush i mbledhur me dorë në vreshtat tona, të vendosura në kodrat e Lundrës, ku tradita bujqësore takohet me mjeshtërinë moderne të verarisë. Shesh i Bardhë i Kantinës Tufa është një verë natyrale dhe autentike, që përcjell mineralitetin e tokës dhe freskinë e territorit, ideale për drekë elegante ose darkë të lehtë verore.

Shesh i Bardhë 100%

1988

220-250 m

Grillore

Detaje të tjera

Vreshtat ndodhen në një lartësi prej 280–320 m mbi nivelin e detit, me ekspozim juglindor. Ekspozimi i diellit gjatë gjithë ditës dhe rrymat e freskëta të ajrit në mbrëmje krijojnë një mikroklimë ideale për maturim të ngadaltë dhe të balancuar të rrushit. Toka argjilo-gëlqerore, me struktura të lehta dhe të pasura në minerale, ofron drenazhim natyral të shkëlqyer dhe është veçanërisht e përshtatshme për varietetet që shprehin elegancë, freski dhe aromë. Sistemi i kultivimit është Guyot, me dendësi 4000 bimë/ha dhe rendiment rreth 8 ton/ha për cilësi maksimale.

Pas vjeljes me dorë, rrushi përzgjedhet me kujdes dhe presohet butësisht. Mushti dekantohet natyrshëm dhe fermentohet në tanke çeliku inoks në temperaturë të kontrolluar 15–16°C, pa ndërhyrje agresive, për të ruajtur aromat e pastra dhe delikate. Fermentimi alkoolik zgjat 12–14 ditë. Më pas, vera qëndron rreth dy muaj mbi llumin e vet (sur lie), me përzierje të lehta periodike (batonnage) për strukturë dhe kompleksitet, pa kryer fermentim malolaktik.

Pas fermentimit mbi llum, vera maturohet për 4 muaj në tanke çeliku inoks në temperaturë të kontrolluar deri në 0°C për të ruajtur freskinë, stabilitetin tartarik dhe karakterin varietal. Pas filtrimit të lehtë, vera shishet dhe qëndron 3 muaj në shishe për të arritur ekuilibrin optimal para daljes në treg. Ky proces ruan natyrshmërinë, mineralitetin dhe strukturën e Sheshit të Bardhë.

Shesh i Bardhë është një verë elegante dhe e balancuar:

  • Ngjyra: E verdhë e lehtë, e pastër, me reflektime të lehta jeshile
  • Aromat: Nota delikate lulesh të bardha dhe mollë jeshile, të ndjekura nga nuanca agrumesh dhe një prekje minerale
  • Shija: E freskët, e balancuar dhe harmonike, me aciditet të integruar mirë me mineralitetin e varietetit
  • Pas-shija: E gjatë dhe e pastër, me rikujtim të frutave të bardha dhe tonalitet mineral, që lë ndjesi freskie dhe pastërtie

Shesh i Bardhë është shumë i përshtatshëm për tryezën mesdhetare shqiptare. Rekomandohet të shërbehet në 8–10°C.

Përshtatet në mënyrë ideale me:

  • Peshk të freskët në skarë ose në furrë
  • Fruta deti (karkaleca dhe kalamar)
  • Sallata me djathë të bardhë, fruta të thata dhe agrume
  • Risoto me perime ose limon
  • Mish i bardhë si pula ose gjeldeti i pjekur me erëza mesdhetare

Viti: 2024

Alkooli: 13.5%

Aciditeti total: 6 g/L

Sheqerna reduktues: < 1 g/L

SO₂ total: 126 mg/L