Rreth Nesh

Familja Tufa

pak historik

Pak Historik

Familja Tufa – Zemra e Kantinës Tufa

Atje ku dielli përkedhel ëmbëlsisht kodrinat, të veshura me pjergulla rrushi, shtrihet Lundra — një fshat i vogël me histori të madhe, i njohur për tokën e tij pjellore në vreshtari dhe për kurorat e vreshtave që valëviten mbi kodrat e mrekullueshme.

Ekziston një legjendë për emrin e këtij fshati. Shekuj më parë, këtu shtrihej një territor kodrinor dhe liqenor, ku vozitnin lundrat e banorëve të hershëm, mes këngëve të tyre gazmore. Pasi uji u tërhoq, lundrat mbetën simboli i identitetit të kësaj toke, ndërsa fshati mori emrin e tyre — Lundër.

Lundra është pjesë e Komunës Farkë, e cila dëshmohet si vendbanim që nga fundi i periudhës së hekurit. Banorët e Farkës, në lashtësi, kanë qenë punues të baltës — poçarë dhe mjeshtër të punimit të hekurit — farkëtarë, prej të cilëve rrjedh edhe emri i zonës: Farkë.

Farka ndodhet 7 kilometra në juglindje të kryeqytetit, Tiranës, përgjatë rrugës kombëtare Tiranë–Elbasan. Ajo kufizohet në lindje me malin e Dajtit, në jug me kalanë e Petrelës dhe në perëndim me Vaqarin. Kjo zonë përfiton nga një ventilim natyror që kalon përmes grykës midis malit të Dajtit dhe Priskës, ndërsa ajri i freskët që mbërrin nga deti, rreth 30 kilometra larg në vijë ajrore, përshkon kodrat dhe i jep rrushit aromë dhe karakter të veçantë.

Në zemër të Farkës shtrihet Lundra, vendi ideal për kultivimin e rrushit të cilësisë së lartë, sepse banorët e saj janë të përkushtuar ndaj tokës dhe pasionit për prodhimin e verërave të shkëlqyera, plot shije dhe origjinalitet.

Vera, si pije e magjishme, ka qenë dhe mbetet një pjesë e rëndësishme e repertorit tradicional të Lundrës. Ato siguroheshin nga shtrydhja e rrushit dhe më pas vendoseshin në qypa balte, të pjekur në furra druri dhe të zbukuruar me ornamente, ku simbolizoheshin dielli, hëna, yjet dhe pjergulla e rrushit — simbole të jetës, gjallërisë dhe vazhdimësisë.

Në kohën e vjeljes së rrushit dhe të përgatitjes së verës nga lëngu i tij, banorët mblidheshin bashkë për të punuar me pasion, për të mësuar brezat dhe për të vazhduar traditën. Kështu, historia e verës bëhet tërheqëse — sepse ajo është e ndërthurur me historinë e çdo familjeje që rrjedh prej saj.

Familja Tufa është pjesë e kësaj historie, duke prodhuar verëra tërësisht autoktone. Babai ynë, Xhevdet Tufa (Xhoda), 1951–2021, themeloi Kantinën “Tufa”, fillimisht si një punishte artizanale, bashkë me djemtë e tij, duke ushqyer të njëjtin pasion për tokën dhe verën. Më vonë, djali i tij i dytë, fëmija më i apasionuar dhe i përkushtuar, me shumë punë, dashuri dhe përkushtim, e zgjeroi këtë traditë familjare, duke e kthyer në një sipërmarrje të suksesshme — Kantinën Tufa që njohim sot. Ai u bë trashëgimtar i denjë i traditës atërore.

Duke u bazuar në natyrën e mrekullueshme, në erën e tokës dhe të pjergullës autoktone, me parimin “E arta e verës sonë është vlera e verës sonë”, Kantina Tufa, së bashku me partnerët më të mirë, ka ndërtuar një traditë të qëndrueshme cilësie dhe autenticiteti. Sot, Kantina Tufa vazhdon të zhvillohet duke harmonizuar shijen dhe arkitekturën, duke u konsoliduar sipas standardeve moderne e globale, por gjithnjë duke ruajtur shpirtin vendas dhe lidhjen me tokën e kodrinave të Lundrës.

Familja Tufa ka kultivuar dhe ruajtur ndër breza artin e kultivimit të varieteteve të rrushit Shesh i Bardhë dhe Shesh i Zi të Tiranës. Të dyja këto lloje verërash janë autentike shqiptare, të hershme, të thjeshta dhe me një shije mbresëlënëse, të lidhura ngushtë me rrushin Shesh. Një ndërthurje që përcjell klas dhe histori — verëra që dallohen për karakterin e tyre të veçantë dhe për cilësinë premium që i bën të paharrueshme.

Duke u mbështetur në bashkëpunime me mjeshtra të njohur në fushën e verërave, Kantina Tufa ka adoptuar dhe vazhdon të ruajë standardet më të larta të kohës, duke integruar praktikat më të mira në prodhimin e verërave.

Sot, Kantina Tufa është më shumë se një prodhuese vere. Ajo përfaqëson një testament të gjallë, që shkruhet dita-ditës — një ëndërr që zgjohet në realitete të prekshme, një histori dashurie për tokën dhe traditën unike, që jeton në çdo gotë vere që ofron.

Nëse pyesni se ku ndodhet Kantina Tufa në Lundër, mjafton të jeni në qendër të Tiranës, të drejtoni dorën drejt lindjes së diellit — dhe do të prekni ato kodrina të pafundme, të mbushura plot me rrush.

Atje është Lundra, dhe në mes të atij gjelbërimi ndodhet Kantina Tufa.

Qëllimi

Kantina Tufa nuk është vetëm një trashëgimi familjare, por një simbol që përfaqëson klas, elegancë dhe mjeshtëri kudo në botë.
Me një histori të shkruar ndër breza dhe me përkushtim për të ruajtur origjinalitetin, Kantina Tufa synon të mbrojë dhe promovojë trashëgiminë e pasur të verës shqiptare.

Qëllimi ynë është të edukojmë brezin e ri mbi kulturën e punës dhe mbi rëndësinë e ruajtjes së tokës dhe pasurive natyrore.
Jemi të përkushtuar të mbrojmë ambientin, t’i japim frymë tokës dhe pastërti ajrit, duke krijuar produkte natyrale të cilësisë së lartë që pasqyrojnë pasionin dhe mjeshtërinë tonë në artin e verës.

Ne dëshirojmë të trashëgojmë një emër të artë e të ndritshëm, të rrënjosur në traditën shqiptare, për t’u njohur me krenari edhe në botë.

Vizioni

Vizioni i Kantinës Tufa është të konsolidojë pozicionin lider në tregun e verërave shqiptare, duke bashkuar traditën me inovacionin.
Kantina synon të përmirësojë vazhdimisht metodat e prodhimit, duke u mbështetur në përvojën dhe bashkëpunimet më të mira ndërkombëtare.

E ardhmja jonë është e lidhur ngushtë me ruajtjen e kulturës së verës, me edukimin e konsumatorëve mbi rëndësinë e cilësisë, si dhe me mbrojtjen e ambientit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të industrisë.

Çdo gotë verë e Kantinës Tufa synon të përfaqësojë përkushtimin e familjes dhe të trashëgimisë sonë — një shije që përcjell pasion, kujdes dhe besim.

Motivi ynë: Një gotë verë të mirë, për një shëndet të mirë.

Kantina Tufa është poezi e jetës — aty ku natyra kthehet në art, dhe arti në natyrë.